GJILAN – Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar propozimin e drejtorit të ri të Administratës së Përgjithshme, Elbasan Shabani, për lirimin nga pagesa e gjobave për të gjithë qytetarët që regjistrojnë me vonesë lindjet dhe vdekjet.
Ky vendim, i cili u votua unanimisht me 33 vota pro nga asambleistët, përfshin rastet e ndodhura brenda vendit si dhe ato në mërgatë, duke u ofruar një lehtësim të rëndësishëm financiar të gjithë banorëve të komunës.
Përmes një njoftimi drejtuar publikut, drejtori Shabani ka bërë të ditur se ky propozim-vendim synon t’u dalë në ndihmë familjeve gjilanase dhe të inkurajojë përditësimin e gjendjes civile.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që nuk i kanë kryer ende këto regjistrime, që të paraqiten pranë zyrave të administratës për të rregulluar dokumentacionin e tyre pa asnjë kosto ndëshkuese.
Ky afat për lirimin nga gjobat do të mbetet i hapur deri në fund të vitit 2026, duke u lënë hapësirë të mjaftueshme të gjithë personave të interesuar për të përfituar nga kjo masë.

