GJILAN – Një aksion i bukur humanitar është realizuar së fundmi në Gjilan, duke dëshmuar se solidariteti dhe humanizmi janë gjallë mes gjeneratave të reja.
Kryqi i Kuq i Kosovës – Dega në Gjilan, në bashkëpunim me shkollën fillore “Zija Shemsiu”, kanë finalizuar me sukses një aktivitet bamirësie me vlerë të veçantë.
Nën koordinimin e mësimdhënëses së Edukatës Qytetare, Mirlinda Ajeti, dhe kryetares së Këshillit të Nxënësve, Rima Halili, nxënësit e kësaj shkolle u angazhuan vullnetarisht në grumbullimin e mjeteve financiare.
Falë këtij kontributi, u siguruan pako ushqimore për tri familje në nevojë, duke u dërguar atyre jo vetëm ndihmë materiale, por edhe mesazhin se nuk janë vetëm.
Ky aktivitet tregon fuqinë e organizimit të nxënësve dhe rëndësinë e edukimit me frymën e humanizmit.
Shkolla dhe Kryqi i Kuq kanë falënderuar përzemërsisht të gjithë nxënësit për zemërgjerësinë e treguar, duke i cilësuar ata si shembull të mirësisë në komunitetin tonë.

