Ish-kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Albert Selishta, ka zhvilluar një takim në zyrat e TIKA.
Gjatë këtij takimi, ai është pritur nga ndihmës-koordinatori Kemal Derin, me të cilin kanë diskutuar për projekte të ndryshme në fushën e arsimit.
Fokusi kryesor i bisedës ka qenë pajisja e shkollave në Gjilan dhe Kamenicë me kabinete të aftësimit profesional, me synim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe rritjen e cilësisë në arsim.
Projekte të tilla janë realizuar më herët në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan, ndërsa i njëjti model synohet të zbatohet edhe në shkollën teknike në Kamenicë.
Ndërkaq, për shkollat fillore parashihet krijimi i kabineteve të ngjashme me atë që është realizuar kohë më parë në Shkollën 9- vjeçare “Selami Hallaçi”.
Selishta ka theksuar rëndësinë e investimeve në edukim, duke e konsideruar atë si bazë për zhvillim të qëndrueshëm.
Ndryshe, ai ka jetuar për më shumë se 15 vite në Turqi, ku ka qenë aktiv në aktivitete të ndryshme të shoqatave shqiptare.

