“Heronjtë e qytetit”,  Isufi vlerëson punëtorët e pastrimit në Gjilan

Drejtori aktual i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, Bajram Isufi, përmes një postimi në rrjetet sociale i ka quajtur punëtorët e pastrimit si “heronjtë e qytetit”.

Ai ka theksuar se ky është një sektor tejet i rëndësishëm për qytetarët, pasi këta punëtorë janë çdo ditë në terren, duke u kujdesur për pastërtinë e rrugëve dhe hapësirave publike.

“Herët në mëngjes, në heshtje, në ditë pune e jo pune, të vetmit që i takon në rrugë janë punëtorët e pastrimit që grumbullojnë mbeturinat në rrugët dhe sheshet e komunës,” ka shkruar Isufi.

Sipas tij, ata janë punëtorë modestë, të përkushtuar dhe korrektë në punën e tyre, ndonëse pagat e tyre mbeten ende për t’u dëshiruar.

“I kanë duart e zhytura, por fytyrën dhe krenarinë burrërore. Edhe kur kam punuar me ta i kam përkrahur, e edhe sot i çmoj, i vlerësoj dhe i inkurajoj, sepse vërtet janë heronjtë e qytetit. Faleminderit atyre që pastrojnë,” ka theksuar ai.

Ndryshe, Bajram Isufi kohë më parë ka ushtruar për një mandat të plotë edhe detyrën e drejtorit në EcoHigjiena Sh.p.k.

Shpërndaj me të tjerët