Nga Nijazi Idrizi
Kosova po shkon drejt normalizimit të bllokadës politike.
Aktualisht nuk bëhet fjalë nëse sistemi ka probleme, por nëse institucionet janë të gatshme t’i ndalin ato.
Bllokada nuk është vetëm produkt i përplasjeve partiake, por ajo vazhdimisht po ushqehet nga një lexim i ngushtë dhe formal i Kushtetutës.
Derisa dispozitat e saj përdoren për të prodhuar zgjedhje të reja dhe jo zgjidhje, për pasojë do të kemi devijim të rrezikshëm nga rendi kushtetues.
Interpretimi strikt i nenit 86, duke e shkëputur nga neni 82 dhe nga parimet bazë të funksionimit institucional, në situatën e krijuar, nuk është më vetëm çështje teknike.
Ai e redukton Kushtetutën në manual procedural dhe hap rrugë për instrumentalizim politik.
Nëse ky interpretim bëhet standard, atëherë neni 86 humb funksionin zhbllokues dhe shndërrohet në burim të përhershëm krizash.
Pikërisht këtu hyn në punë Gjykata Kushtetuese. Heshtja ose formalizmi në këtë moment nuk do të ishte neutralitet, por anim.
Gjykata duhet të vendosë kufij të qartë, duke mënjanuar mekanizmat kushtetues që mund të përdoren për të prodhuar bllokadë të qëllimshme dhe për të zëvendësuar kompromisin politik me zgjedhje të sërishme.
Në situatën e krijuar, një vendim zhbllokues nuk është më vetëm interpretatim, por domosdoshmëri kushtetuese.
Ai duhet të riafirmojë se shpërndarja e Kuvendit është masë e fundit dhe se mungesa e vullnetit për kompromis nuk mund të maskohet me procedura.
Funksionimi i shtetit është vlerë kushtetuese që qëndron mbi kalkulimet afatshkurtra politike.
Për më shumë, Gjykata Kushtetuese nuk është e thirrur të krijojë kompromise e t’ia zërë vendin politikës, por mundet dhe duhet t’ia caktojë kufijtë asaj.
Nëse këta kufij nuk vendosen, kriza bëhet normë, ndërsa Kushtetuta mjet.
Kosovës nuk i duhen krizat e përsëritura.
Çdo cikël i ri zgjedhjesh pa zgjidhje reale dëmton legjitimitetin demokratik, paralizon institucionet dhe minon besimin publik.
Vendimi që pritet nuk është thjesht juridik. Ai është provë e vetë rendit kushtetues që ka të bëjë me ruajtjen e stabilitetit politik apo do të tolerojë krizën.
Nëse Gjykata nuk vendos kufij tani, kufijtë do t’i vendosë vetë kriza.
(Autori është ish i burgosur politik dhe aktivist i çështjes kombëtare)
