HISTORI / Ish-zëdhënësi i UÇK-së në Karadak, Ismet Sylejmani, publikon informatën e luftës dërguar TVSH-së para 27 viteve

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën Operative të Karadakut, Ismet Sylejmani, ka rikujtuar sot një dokument me vlerë të madhe historike.

Plot 27 vite më parë, pikërisht më 7 qershor 1999, kjo informatë lufte e lëshuar nga Shërbimi për Informim Publik i kësaj zone, i ishte dërguar Televizionit Shqiptar (TVSH) për të njoftuar mbarë opinionin mbi zhvillimet dramatike në terren.

Ky rikujtim ka ngjallur mjaft emocione dhe nostalgji për periudhën e lavdishme të luftës çlirimtare në Anamoravë.

Në informatën e asaj kohe, të nënshkruar nën pseudonimin e luftës “Sokol Gashi”, pasqyrohej gjendja e tensionuar në katër komunat e Karadakut, ku raportohej se forcat serbe nuk po tërhiqeshin, por përkundrazi po shtonin koncentrimin e tyre në pikat strategjike, si dhe po mbanin të arrestuar 15 qytetarë në burgun e Gjilanit.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij presioni, komunikata historike tregon për një aksion të suksesshëm luftarak të kryer mbrëmjen e 6 qershorit 1999 në Zhegoc të Epërm.

Njësiti gueril i Batalionit të Parë “Pajazit Ahmeti-Paja”, i cili operonte në kuadër të Brigadës 171 “Kadri Zeka”, kishte asgjësuar një bandë prej pesë ushtarësh e paramilitarësh serbë, të prirë nga eprori Dragan Sreten Millosheviq.

Aksioni i djemve të UÇK-së kishte ndodhur në vendin e quajtur “Hanet”, pikërisht afër varrezave ku pushonte trupi i dëshmorit të saporënë, Alban Ajeti.

Siç shkruhej në informatën e vitit 1999, ato krisma pushkësh ishin nderimi më i lartë për trimin e rënë dhe jetësim i betimit të bashkëluftëtarëve për liri, përpara se njësiti të kthehej pa asnjë humbje në bazën e tij.

 

 

Shpërndaj me të tjerët