Ndarja tragjike dhe e parakohshme nga jeta e 22-vjeçarit Fatjon Bunjaku ka prekur thellë edhe dy klubet e mëdha të futbollit nga Gjilani.
Përmes faqeve të tyre zyrtare, si SC Gjilani, ku Bunjaku aktivizohej kohë më parë, ashtu edhe FC Drita, kanë reaguar me telegrame ngushëllimi, duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e ish-futbollistit.
Në telegramin e lëshuar nga klubi i SC Gjilanit, ku Fatjoni barti fanellën kuqebardhë me numrin 8, thuhet se ai ishte shumë më tepër se një futbollist i talentuar.
Gjilani ka theksuar se ai ishte një djalë i edukuar, i përkushtuar dhe me ëndrra të mëdha, i cili me punën, karakterin dhe dashurinë për futbollin arriti të fitojë respektin e të gjithëve.
Ata shtuan se kontributi i tij në klub do të mbetet pjesë e kujtimeve të çmuara, pasi përfaqësoi me krenari ngjyrat e tyre dhe ishte shembull i një sportisti që synonte gjithmonë përpara.
Në anën tjetër, edhe rivali lokal, FC Drita, ka bashkëndier dhimbjen e madhe duke u rreshtuar krah familjes Bunjaku në këto momente të vështira.
Nga taborri i kaltërebardhëve është shprehur pikëllimi i thellë për këtë humbje, duke u dërguar ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën Fatjonin përgjatë karrierës së tij, me urimin që ai të prehet në paqe.
Vdekja tragjike e sulmuesit të talentuar ka bërë që i gjithë komuniteti sportiv në Anamoravë dhe Kosovë të jetë në zi, duke kujtuar një djalosh që la gjurmë të pashlyeshme në fushën e gjelbër.
