TRAGJIKE / Ndërron jetë në një aksident të rëndë ish-futbollisti i Gjilanit, Fatjon Bunjaku

Ish-futbollisti i SC Gjilanit, Fatjon Bunjaku, ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike në moshën 22-vjeçare, pas një aksidenti të rëndë automobilistik që ka ndodhur sot pas mesnate në aksin rrugor Prishtinë – Mitrovicë.

Ky lajm i trishtë ka tronditur thellë komunitetin sportiv në Gjilan dhe mbarë opinionin publik.

Sulmuesi i talentuar, i cili la gjurmë në futbollin e Anamoravës, u bashkua me Gjilanin në janar të vitit 2024, ku barti fanellën me numrin 8.

Ai debutoi me ngjyrat kuqebardhë në ndeshjen e Kupës së Kosovës kundër Prishtinës, duke fituar menjëherë simpatinë e sportdashësve vendas, ndërsa luajti edhe në kampionat duke dhënë kontributin e tij në Superligë.

Përveç eksperiencës te Gjilani, 22-vjeçari nga Samadrexha e Vushtrrisë kishte ndërtuar një karrierë të pasur për moshën e tij, duke luajtur edhe për skuadrat e njohura si Trepça, Phoenix e Banjës, Liria dhe Malisheva, si dhe regjistroi paraqitje me Kombëtaren e Kosovës U-21.

Në verën e kaluar, ai u transferua te KF Elbasani në Shqipëri, ku sapo kishte mbyllur një sezon mjaft të suksesshëm duke siguruar daljen në garat evropiane.

Lajmin për ndarjen tragjike nga jeta e kanë konfirmuar edhe përmes rrjeteve sociale nga fshati i tij i lindjes, Samadrexhë, ku thuhet se për ditën dhe orën e varrimit qytetarët do të njoftohen me kohë.

Vdekja e parakohshme e Fatjon Bunjakut ka lënë një zbrazëti të madhe dhe ka pikëlluar të gjithë ata që e njohën brenda dhe jashtë fushës së gjelbër.

 

 

Shpërndaj me të tjerët