Profesori i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Pajtim Vela, ka njoftuar për përfundimin me sukses të semestrit në lëndën “Sistemet e Integruara dhe Hibride të Kontrollit” me studentët e vitit të tretë.
Gjatë semestrit, studentët kanë punuar në projekte të ndryshme që përfshinin programim, sensorë, mikrokontrollerë dhe zgjidhje inovative teknologjike.
Një pjesë e projekteve janë realizuar duke shfrytëzuar teknologjinë IoT (Internet of Things), duke mundësuar monitorimin dhe kontrollin e tyre nga distanca përmes platformave mobile dhe web.
Profesori Vela ka vlerësuar angazhimin, kreativitetin dhe përkushtimin e studentëve, duke theksuar se kënaqësia më e madhe është kur një ide e thjeshtë në fillim të semestrit shndërrohet në një projekt funksional dhe interaktiv në fund të tij.
Ai u ka uruar studentëve suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.
