Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, përmes një komunikate për medie ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes lokale, duke ngritur shqetësimin për gjendjen aktuale në qytet.
Sipas LDK-së, Gjilani po përballet me një bllokadë të përgjithshme zhvillimore, çrregullim urban dhe me probleme të rënda në sektorin e arsimit, përfshirë mungesën e ngrohjes në shkolla dhe vonesat me stafin mësimor.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë:
Përgatitjet organizative dhe politike të LDK-së në Gjilan do të shoqërohen me mobilizim të strukturave, forcim të komunikimit me qytetarët dhe ndërtim të një alternative serioze për të ardhmen e qytetit tonë.
Njëkohësisht, LDK në Gjilan do të vazhdojë të ushtrojë rolin e saj opozitar ndaj qeverisjes lokale, duke mbështetur kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve, duke kërkuar llogaridhënie dhe duke denoncuar shkeljet, keqmenaxhimin dhe papërgjegjësinë në realizimin e projekteve publike.
Gjilani sot ndodhet në një bllokadë të përgjithshme zhvillimore. Në vend të një vizioni të qartë dhe projekteve që i japin qytetit perspektivë, po përballemi me projekte të nisura njëkohësisht, pa koordinim të duhur dhe në kundërshtim me procedurat ligjore. Qyteti po përjeton degradim të vazhdueshëm, ndërsa mungojnë projektet e mirëfillta zhvillimore që do të përmirësonin jetën e qytetarëve. Në vend të zhvillimit, Gjilani po përballet me çrregullim urban, bllokim të qarkullimit dhe mungesë të një planifikimi serioz institucional.
Shqetësues është edhe fakti se, ndërsa po hyjmë në mesin e muajit nëntor, shumë shkolla në Gjilan vazhdojnë të jenë pa ngrohje dhe po detyrohen të zhvillojnë mësimin me orar të shkurtuar. Për më tepër, në të gjitha shkollat e komunës vërehet mungesë e theksuar e orëve mësimore, si pasojë e vonesave në zhvillimin dhe përmbylljen e konkursit të punësimit dhe mungesës së stafit arsimor. Kjo situatë po cenon drejtpërdrejt procesin mësimor dhe të drejtën e nxënësve për arsimim cilësor. Është e papranueshme që, në këtë fazë të vitit shkollor, nxënësit të përballen me mungesë të ngrohjes, orar të shkurtuar dhe humbje të orëve mësimore për shkak të mungesës së planifikimit dhe përgjegjësisë institucionale. Arsimi nuk mund të jetë viktimë e neglizhencës dhe paaftësisë së qeverisjes lokale.
LDK në Gjilan do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve, mbrojtëse e interesit publik dhe një opozitë aktive, e vendosur për të kërkuar përgjegjësi, transparencë dhe qeverisje të mirë. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë çdo vendim dhe veprim që dëmton interesin e qytetarëve dhe zhvillimin e Gjilanit, duke ofruar një alternativë serioze, me vizion dhe përgjegjësi për të ardhmen e qytetit.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun – LDK, Gjilan
5 nëntor 2026
