Nga Karadaku në NATO, Presidentja Osmani dekoron post-mortem Prof. Dr. Nazmi Maliqin

Një prej figurave më emblematike të mendimit politik dhe angazhimit kombëtar, Prof. Dr. Nazmi Maliqi, është vlerësuar me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu.

Ky dekorim i lartë vjen si një akt mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në proceset shtetformuese të Kosovës dhe përfaqësimin dinjitoz të çështjes shqiptare në rrafshin ndërkombëtar.

Profesor Maliqi, me origjinë nga fshati Stanqiq i Karadakut të Gjilanit, la gjurmë të pashlyeshme si një urë lidhëse mes shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.

Gjatë viteve të vështira 1994-1998, ai shërbeu si deputet në Maqedoni dhe si përfaqësues në Asamblenë e NATO-s, duke u bërë një zë i fuqishëm për ndërkombëtarizimin e lirisë së Kosovës në kohët më vendimtare.

Si një bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Ibrahim Rugova, Maliqi ishte pjesë e përpjekjeve titanike institucionale që hodhën themelet e shtetësisë sonë.

Edhe pse familja e tij ishte shpërngulur herët në Kumanovë, ai kurrë nuk i shkëputi lidhjet me vendlindjen, duke mbetur deri në fund një figurë që simbolizon përkushtimin ndaj interesit kombëtar.

Medalja Presidenciale e Meritave vulos tashmë vendin e tij të merituar në historinë moderne të Kosovës, si një model i intelektualit që dijen dhe veprimtarinë e tij i vuri tërësisht në shërbim të atdheut.

 

Shpërndaj me të tjerët