Universiteti Publik “Kadri Zeka” organizon aktivitet promovues për programet studimore para maturantëve
Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka organizuar sot një aktivitet të rëndësishëm promovues me qëllim informimin dhe orientimin akademik e profesional të maturantëve lidhur me programet studimore që ofron universiteti.
Ky aktivitet u mbajt për t’i ndihmuar të rinjtë në një nga vendimet më të rëndësishme të jetës së tyre, zgjedhjen e drejtimit të studimeve, duke i njoftuar nga afër maturantët me mundësitë akademike, perspektivat profesionale dhe mundësitë që hapen pas përfundimit të studimeve.
Gjatë promovimit, maturantët patën mundësi të informohen për programet studimore, zhvillimin profesional, mobilitetin studentor në universitetet evropiane me të cilat UKZ ka marrëveshje bashkëpunimi, si dhe për perspektivat e punësimit pas diplomimit.
Në kuadër të këtij aktiviteti, përfaqësues të fakulteteve prezantuan ofertën akademike të njësive përkatëse. Profesoresha Shqipe Avdiu-Kryeziu prezantoi programet studimore dhe aktivitetet në Fakultetin e Edukimit, i cili përgatit mësimdhënës të ardhshëm dhe profesionistë të edukimit me standarde bashkëkohore.
Dekani Xhevat Sopi foli për Fakultetin Ekonomik, ku studentët përgatiten në fushat e biznesit, menaxhmentit dhe ekonomisë moderne. Dekanja Afërdita Ibrahimi prezantoi Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, një fushë dinamike që ofron njohuri të avancuara në teknologji dhe inovacion digjital.
Po ashtu, Dekani Xhevdet Thaqi prezantoi Fakultetin e Shkencave Aplikative, ku studentët përgatiten në fusha të ndryshme profesionale dhe teknologjike, duke fituar njohuri teorike dhe praktike për tregun modern të punës.
Ndërsa Prodekani Blerim Haziri foli për Fakultetin e Shkencave Sociale, ku studentët zhvillojnë njohuri mbi shoqërinë, institucionet dhe proceset sociale bashkëkohore.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe alumni e universitetit, Erleta Halimi, e cila ndau përvojën e saj studentore, akademike dhe profesionale, duke sjellë një shembull frymëzues për maturantët që janë në prag të zgjedhjes së studimeve.
Betim Berisha, ushtrues detyre i Udhëheqësit të Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime, prezantoi bashkëpunimet ndërkombëtare dhe mundësitë e mobilitetit studentor, që u japin studentëve përvojë akademike në universitete evropiane.
Arlinda Selmani, ushtruese e detyrës së Udhëheqëses së Divizionit për Karrierë dhe Alumni, prezantoi mundësitë për zhvillim personal dhe profesional, si dhe mbështetjen që universiteti ofron për punësimin e studentëve pas diplomimit.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” inkurajoi maturantët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të marrë informacione të drejtpërdrejta dhe të besueshme, të cilat do t’i ndihmojnë në ndërtimin e së ardhmes së tyre akademike dhe profesionale.

