ARSIM/ U mbajt punëtori dy ditore për avancimin e Statutit të UKZ-së

Më 18–19 qershor 2026, Programi SHER mbështeti Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan në procesin e rishikimit të Statutit të Universitetit.

Në kuadër të këtij procesi u organizua një punëtori dy-ditore, e cila mblodhi menaxhmentin e universitetit, stafin akademik dhe përfaqësues të Programit SHER, me qëllim të shqyrtimit të Statutit ekzistues dhe diskutimit të ndryshimeve të nevojshme për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm institucional.

Punëtorinë e hapi Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, i cili theksoi rëndësinë e procesit të revizionimit të Statutit, duke nënvizuar se ky dokument duhet të reflektojë nevojat aktuale dhe prioritetet strategjike të Universitetit.

Nga ana e Programit SHER, Nehat Dervishi, Koordinator Tematik, shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të SHER për të mbështetur Universitetin gjatë gjithë procesit të rishikimit dhe finalizimit të Statutit.

Nën udhëheqjen e ekspertit të SHER-it, pjesëmarrësit diskutuan dhe analizuan dispozitat ekzistuese të Statutit, duke identifikuar fushat që kërkojnë përmirësim, trajtimin e sfidave të evidentuara dhe shqyrtimin e ndryshimeve të propozuara në nenet përkatëse.

Kornizë e këtyre diskutimeve ishte analiza gjithëpërfshirëse e përgatitur nga eksperti ndërkombëtar i SHER-it, e cila shërbeu si bazë për shqyrtimet dhe rekomandimet e punëtorisë.

Në përfundim të punëtorisë, pjesëmarrësit përmblodhën pikat kryesore të diskutimit dhe u dakorduan për hapat e ardhshëm drejt vazhdimit të procesit të rishikimit dhe finalizimit të Statutit, me synim forcimin e qeverisjes institucionale dhe mbështetjen e zhvillimit të mëtejshëm të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.

 

Shpërndaj me të tjerët