ARSIM/Kryetari dhe DKA në Gjilan me thirrje të përbashkët që ora e parë e mësimit nesër t’i kushtohet UÇK-së

Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, u kanë bërë thirrje të gjithë drejtuesve të shkollave dhe mësimdhënësve që nesër, më 16 shtator 2026, ora e parë e mësimit në të gjitha nivelit arsimore t’i kushtohet luftës çlirimtare të UÇK-së, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë.

​Drejtori i DKA-së në Gjilan, Jeton Rexhepi, përmes një njoftimi drejtuar komunitetit arsimor, ka theksuar se të gjithë besojnë në një aktvendim lirues dhe në triumfin e drejtësisë.

​”Ne, të gjithë kemi besuar në luftën e drejtë të UÇK-së, në pastërtinë e saj dhe heroizmin e saj. Kemi besuar në lirinë, drejtësinë e demokracinë, vlera këto europerëndimore, prandaj presim e besojmë në aktvendim lirues nesër, duke refuzuar padrejtësinë dhe barazimin e viktimës me agresorin. UÇK ishte vlera më e madhe e më e shenjtë që lindi nga populli ynë, prandaj kërkojmë që nesër ora e parë të jetë orë përkushtuese për UÇK-në, lavdinë dhe rëndësinë e saj”, ka deklaruar Rexhepi.

​Këtij mesazhi i është bashkuar edhe kryetari i komunës, Alban Hyseni, i cili ka potencuar rëndësinë e edukimit të brezave të rinj mbi historinë dhe sakrificën për liri.

​”Teksa jemi në pritje të verdiktit në Hagë, është moment i rëndësishëm që brezat e rinj të kujtojnë historinë dhe sakrificën për lirinë e vendit tonë. Edukimi i të rinjve mbi vlerat e të kaluarës mbetet obligim ynë i përhershëm. Ne besojmë fuqishëm në pastërtinë e luftës tonë dhe shpresojmë në lirimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, ka porositur Hyseni.

 

Shpërndaj me të tjerët