Të dhënat personale dhe shkollimi i hershëm
Albert Selishta ka lindur më 25 tetor 1988 në Gjilan. Hapat e parë të dijes i mori në shkollën fillore “Musa Zaimi”, ndërsa arsimin e mesëm e përfundoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.
Qysh në moshë të re, pas përfundimit të luftës, u angazhua në sport me themelimin e shkollës së futbollit “Gjilani”, ku aktivizoi potencialin e tij deri në kategorinë e kadetëve.
Formimi akademik dhe profesional në Turqi
Pas diplomimit në gjimnaz në vitin 2007, Selishta fitoi bursën e Ministrisë së Arsimit të Turqisë për të vazhduar studimet e larta. Rrugëtimi i tij akademik nisi në Universitetin e Ankarasë me mësimin e gjuhës turke, për të vijuar më pas në qytetin e Bursës, ku përfundoi studimet në Fakultetin e Shkencave Ekonomike.
Në të njëjtin universitet, ai kreu studimet e magjistraturës (Master) në fushën e prodhimit.
Gjatë periudhës së studimeve, ai ndoqi trajnime intensive pranë kompanisë “Bursagaz-Bursa” (pjesë e grupit gjerman EWE AG Group) dhe në Agjencinë Kombëtare Turke për Zhvillim (TİKA) në Ankara.
Përvojën e tij të parë të punës e nisi në Qendrën e Trajnimeve Profesionale “BUTGEM” pranë Odës Ekonomike në Bursa, ku shërbeu për 4 vite si koordinator për nxënësit ndërkombëtarë.
Më pas, zhvillimin profesional e vazhdoi në Grupin e Ndërmarrjeve “ERMETAL”, ku për 7 vite udhëhoqi prodhimin në një nga fabrikat e kësaj korporate.
Aktivizmi shoqëror, urat e bashkëpunimit dhe diplomacia
Gjatë qëndrimit 15-vjeçar në Turqi, Albert Selishta u shquaj për një veprimtari të ngjeshur komunitare, kombëtare e kulturore.
Në fushën e organizimit studentor, ai ishte themelues dhe udhëheqës i Unionit Studentor Shqiptar në Bursa, themelues e kryetar i Unionit Studentor Ndërkombëtar në Bursa, si dhe pjesë e grupit të themeluesve të Rrjetit Rinor Shqiptar në Turqi.
Sa i përket veprimtarisë komunitare, ai shërbeu si aktivist vullnetar në shoqatat e komunitetit shqiptar në Bursa dhe si anëtar bordi në Qendrën Kulturore Shqiptare atje.
Një kapitull shumë i rëndësishëm i veprimtarisë së tij është asistimi për 15 vite me radhë i veprimtarit të shquar Rexhep (Krivaqa) Gündüz në aktivitetet e shoqatës, ku në kuadër të saj janë organizuar përvjetorët e Pavarësisë së Kosovës dhe festa e 28 Nëntorit.
Përmes këtij angazhimi janë realizuar binjakëzime të shumta mes komunave të Kosovës dhe atyre në Turqi, si dhe ndërmjet shkollave fillore, të mesme e universiteteve, të cila vazhdojnë të shkëmbejnë përvoja të vyera falë këtyre urave të bashkëpunimit.
Po ashtu, në rrafshin diplomatik e përfaqësues, për rreth 13 vite ka shërbyer si këshilltar dhe përkthyes i Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës në Bursa.
Rikthimi në Kosovë dhe përvoja menaxheriale
Në vitin 2023, pas një përvoje të pasur 15-vjeçare në Turqi, Selishta u kthye përfundimisht në Kosovë për të dhënë kontributin e tij profesional.
Ai u angazhua si menaxher i prodhimit në Fabrikën e Mobilieve “Palma” në Gjilan, ndërsa më pas vazhdoi për gati 2 vite si menaxher në fabrikën e konstruksioneve metalike “Metal Group LLC 1967”.
Projektet humane, zhvillimi lokal dhe fuqizimi i arsimit profesional
Pasionin për punën vullnetare dhe humanizmin e vazhdoi edhe pas rikthimit në atdhe.
Në bashkëpunim me Konsullin e Nderit të Republikës së Kosovës në Bursa, Fahrettin Gülener (i cili sponzorizoi projektet), Selishta menaxhoi me sukses organizimin, pranimin dhe dorëzimin e pajisjeve për disa kabinete arsimore.
Ndër to përfshihen kabineti për aftësim profesional në moshë të hershme në SOS Fshatin në Prishtinë, kabineti i degës së Makinerisë në Shkollën Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan i pajisur me makineri bashkëkohore, kabineti i TIK-ut në shkollën “Selami Hallaçi” në Gjilan me pajisje për përpunimin e drurit dhe printera 3D për orientimin e fëmijëve drejt profesioneve teknike, si dhe kabineti i specializuar për aftësim profesional në Shkollën e Mesme Teknike “Fan S. Noli” në Podujevë.
Përveç investimeve në arsim, ai vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Komunën e Gjilanit si dhe atë të Kamenicës për mundësinë e tërheqjes së investitorëve ndërkombëtarë, kryesisht nga Turqia, si dhe për ndërmjetësimin e donacioneve në fusha të ndryshme nga institucionet e shtetit turk.
Albert Selishta vlerësohet nga kolektiviteti dhe komuniteti si një kuadër me afinitet të lartë organizativ, i urtë, korrekt, parimor, i dashur dhe i papërtueshëm në iniciativat humane e vullnetare.
Aftësitë e tij profesionale, disiplina e punës dhe vetitë e larta njerëzore e bëjnë atë një shembull të shkëlqyer të kuadrit të ri model.
Ai përfaqëson një nga profilet më të përgatitura me shkollim dhe përvojë shumëvjeçare jashtë vendit, një ekspert të dëshmuar të fushës së prodhimit dhe një aset me vlerë të jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit.
