Gjilani prezanton projektet e zhvillimit të qëndrueshëm në kuadër të Agjendës së Gjelbër

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku, ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Agjenda e Gjelbër – sfidat dhe të arriturat në rajonet Lindje dhe Juglindje”, ku ka paraqitur arritjet dhe hapat e mëtejmë të nivelit lokal për mbrojtjen e mjedisit.

​Gjatë fjalës së tij, nënkryetari Sadiku nënvizoi rëndësinë e zbatimit të Agjendës së Gjelbër si një shtyllë kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

Me këtë rast, ai shpalosi disa nga projektet kryesore të realizuara si dhe ato që janë aktualisht në proces zbatimi nga Komuna e Gjilanit.

​Ndër investimet më strategjike të përmendura ishin ndërtimi i Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë në objektet publike, si dhe krijimi i parqeve dhe hapësirave të reja të gjelbra.

​Sipas drejtuesve të komunës, këto ndërhyrje pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit jetësor dhe rritjen e cilësisë së jetës për banorët.

Në përmbyllje, Komuna e Gjilanit rikonfirmoi përkushtimin e saj për të vazhduar me projekte që kontribuojnë në transformimin e qytetit në një ambient më të pastër, më të gjelbër dhe ekologjikisht të qëndrueshëm.

Shpërndaj me të tjerët