PARASHIKIMI I MOTIT/Kosova me diell këtë javë, të martën riga shiu

Sipas njoftimit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, java që po hyjmë do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell, vranësira të shpërndara dhe një rritje graduale e temperaturave gjatë ditëve në vijim.

​E hëna do të nisë me diell e pjesërisht me vranësira, ku temperaturat do të lëvizin nga 6°C në mëngjes deri në 24°C gjatë ditës.

Të martën pritet një destabilizim i lehtë i motit, me vranësira dhe riga të izoluara shiu në disa pjesë të vendit, ndërsa temperaturat do të luhaten mes 7°C dhe 24°C.

​Nga e mërkura pritet kthjellim i motit dhe rritje e dukshme e temperaturave pozitive, të cilat do të arrijnë nga 22°C deri në 28°C.

Dita më e ngrohtë e javës do të jetë e enjtja, ku maksimalet pritet të prekë vlerën prej 29°C. Java do të mbyllet me një të premte kryesisht me diell, por me mundësi për ndonjë rigë të pakët shiu në zona të kufizuara, ndërsa temperaturat do të lëvizin nga 9°C deri në 27°C.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme me shpejtësi të lehtë deri mesatare prej 1 deri në 7 m/s.

​Sa u përket kushteve biometeorologjike dhe agrometeorologjike, ato do të jenë përgjithësisht të favorshme.

Megjithëse mëngjeset do të jenë relativisht të freskëta, temperaturat e larta gjatë ditës do të krijojnë ambient të përshtatshëm për punët në bujqësi dhe aktivitetet e tjera në ambient të hapur, pa rrezik për bimësinë. Indeksi UV do të jetë në nivel të moderuar.

Shpërndaj me të tjerët