Pas katër dekadash përkushtimi e kontributi të pashoq në edukimin e gjeneratave të reja, mësuesi dhe ish-zëvendësdrejtori i SHFMU “Selam Hallaçi” në Gjilan, Fatmir Selimi, ka përmbyllur zyrtarisht rrugëtimin e tij profesional në arsim.
Përmes një mesazhi prekës e plot mirënjohjeje, Selimi ka reflektuar mbi 40 vitet e tij të punës, duke e cilësuar këtë periudhë jo thjesht si vite pune, por si një pjesë të çmueshme jete, sakrifice dhe kujtimesh që nuk fshihen lehtë.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, përveç se si mësimdhënës i dashur për nxënësit, Selimi shërbeu për më shumë se një dekadë edhe në pozitën e zëvendësdrejtorit të shkollës, me bindjen e palëkundur se shkolla është vendi ku ndërtohet e ardhmja e shoqërisë.
Me rastin e pensionimit, ai ka shprehur falënderimet më të përzemërta për të gjithë ata që e shoqëruan në këtë udhëtim profesional.
”Faleminderit kolegëve për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, stafit udhëheqës dhe punëtorëve teknikë për përkrahjen, nxënësit për respektin dhe prindërit për bashkëpunimin e besimin. Sot po largohem nga detyra, por nuk po i lë pas kujtimet. Ato do të mbeten gjithmonë me mua,” është shprehur mes tjerash Selimi.
