KPP Gjilani në konkurrencën e femrave ka arritur të korrë sukses të plotë gjatë fundjavës që lamë pas, duke i mbyllur me fitore të tria përballjet e zhvilluara.
Seria e suksesshme nisi të shtunën më 12 shtator, ku vashat gjilanase triumfuan me rezultat 4:2 ndaj KPP Ahmet Hoxha F.
Forma e mirë vazhdoi edhe të dielën (13 shtator), ditë në të cilën KPP Gjilani F zhvilloi dy ndeshje dhe regjistroi dy fitore të tjera me peshë: së pari mposhtën KPP Drita F me rezultat të ngushtë 4:3, ndërsa më pas triumfuan edhe ndaj KPP Prishtina F me rezultat 4:2.
Me këtë bilanc qind për qindësh prej tri fitoresh në tri ndeshje, ekipi ka dëshmuar përkushtim dhe luftë të madhe për çdo pikë në tabelë.
Kënaqësinë për këtë ecuri pozitive nuk e ka fshehur as trajneri i KPP Gjilani F, Naser Hasani, i cili është shprehur i entuziazmuar me paraqitjen dhe karakterin e treguar nga vajzat në parket, duke i përgëzuar për punën dhe sukseset e arritura./dita24h/
