SONTE NË LITUANI/ Drita nis rrugëtimin evropian në Champions League, synohet rezultat pozitiv

Skuadra e Dritës sonte me fillim nga ora 19:00, në stadiumin “Darius dhe Girenas” në Kaunas të Lituanisë, do të zhvillojë ndeshjen e parë të rrugëtimit evropian kundër skuadrës vendase, Kauno Zalgiris.

Kjo përballje vlen për raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ku “Intelektualët” synojnë të nxjerrin një rezultat sa më të favorshëm për ndeshjen e kthimit.

Në prag të këtij takimi, trajneri i bardhekaltërve, Zekirija Ramadani, u shpreh optimist por edhe i kujdesshëm, duke vlerësuar se ky 90-minutësh do të jetë përcaktues për fatin e kualifikimit.

“Shpresoj të nxjerrirn një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje. Jemi të përgatitur në aspektin psikologjik, fizik e taktik. Duhet të bëjmë maksimumin dhe gjithçka pozitive në këtë përballje, dhe sipas meje gjithçka do të varet nga ndeshja e parë. Çdo rezultat pozitiv na jep mundësi të bëjmë kalkulime për ndeshjen e radhës, nëse do të jemi më defanzivë apo më ofanzivë,” ka thënë Ramadani.

Gjithçka rreth këtij ballafaqimi mbetet e hapur, ndërsa verdikti përfundimtar se kush do të kalojë tutje do të mësohet pas një jave në ndeshjen e kthimit.

 

 

Shpërndaj me të tjerët