SPORT/Gjilani barazon në Klinë, Thaçi shpëton një pikë në minutat shtesë

Gjilani nuk ka arritur të marrë fitoren në udhëtim ndaj Dukagjinit, duke u ndarë në barazim 1:1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Skuadra vendase kaloi në epërsi në pjesën e parë, kur Zulfiji, me një goditje me kokë, mposhti portierin e Gjilanit dhe shënoi për 1:0.

Kur ndeshja po i afrohej fundit, Gjilani fitoi një penalti në minutën e 90-të, pas një ndërhyrjeje të palejuar të mbrojtësit të Dukagjinit ndaj Ibrahimit.

Pas rishikimit të situatës në VAR, gjyqtari konfirmoi vendimin për penalti.

Përgjegjësinë nga pika e bardhë e mori Thaçi, i cili u tregua i saktë dhe barazoi rezultatin në 1:1.

Në minutat shtesë, Gjilani ishte shumë pranë përmbysjes së rezultatit, por pingulja e majtë ia mohoi golin, duke bërë që dy skuadrat të ndajnë nga një pikë.

Shpërndaj me të tjerët