Parku i lagjes “Dardania” është bërë me shporta të reja për mbeturina, falë një aksioni vullnetar të ndërmarrë nga përfaqësues komunalë dhe qytetarë të lagjes.
Pasi shportat e mëparshme kishin pësuar dëmtime me kalimin e kohës, është parë e nevojshme ndërhyrja për vendosjen e shportave të reja, me qëllim që hapësira publike të mbetet e pastër dhe në shërbim të të gjithë banorëve.
Në lidhje me këtë aktivitet, organizatorët u shprehën:
”Këto shporta kanë qenë aty edhe më herët, por me kalimin e kohës janë dëmtuar. Prandaj, vendosëm që të ndërmarrim këtë nismë dhe t’i kthejmë në gjendje të mirë, në mënyrë që të jenë përsëri në shërbim të qytetarëve. Është mirë kur bëhemi bashkë dhe japim secili nga pak për vendin tonë.”
Kjo nismë u mbështet edhe nga bizneset lokale Mehuka, Metal Xoni dhe BITI COM, të cilat kontribuuan në realizimin në këtij projekti vullnetar.
Në fund, u përçua edhe një mesazh vetëdijësues për të gjithë qytetarët:
”Një lutje për të gjithë qytetarët: Të kujdesemi pak më shumë për ambientin dhe gjërat që i kemi të përbashkëta. Të mos i dëmtojmë shportat, parqet dhe hapësirat publike, sepse janë në shërbim të të gjithëve dhe duhet t’i ruajmë të gjithë. Bashkë mund të bëjmë shumë për lagjen dhe qytetin tonë!”
