Investimet publike duhet të prezantohen me transparencë, duke respektuar kontributin real të secilit institucion dhe duke shmangur paqartësitë lidhur me meritat për financimin e tyre.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas shtrimit të shtresës së fundit të asfaltit në rrugën “Hamdi Kurteshi” në Gjilan.
Në postimin e tij, ai e ka prezantuar projektin si investim të realizuar në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, duke theksuar se nga vlera e përgjithshme e kontratës prej 2.36 milionë eurosh, 2.3 milionë euro financohen nga Qeveria e Kosovës.
Realizimi i këtij projekti është padyshim një investim i mirëpritur për Gjilanin.
- Megjithatë, shifrat e bëra publike nga vetë ministri shtrojnë një pyetje të arsyeshme: Kujt i takon merita kryesore për financimin e këtij projekti, Qeverisë së Kosovës apo Komunës së Gjilanit?
Sipas shifrave të bëra publike nga ministri, nga vlera e përgjithshme e kontratës prej 2.36 milionë eurosh, 2.3 milionë euro mbulohen nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pjesa e mbetur prej rreth 60 mijë eurosh i bie të jetë kontributi financiar i Komunës së Gjilanit.
Ndërkohë, në promovimin e këtij projekti nga udhëheqja komunale është përdorur shprehja: “Drejt fundit të një pune të madhe!”, pa u theksuar në mënyrë të qartë se pjesa dërrmuese e financimit është siguruar nga Qeveria e Kosovës.
Nga Bashkim Isufi
