FC Drita ka prezantuar zyrtarisht përforcimin më të ri për fazën ofanzive. Sulmuesi i krahut, Igball Jashari, ka nënshkruar me klubin gjilanas dhe do të veshë fanellën bardhekaltër për sezonin e ri.
Jashari, i cili është vetëm 20 vjeçar, vjen te Drita pas një sezoni mjaft të suksesshëm me skuadrën e Drenicës.
Gjatë stinorit të kaluar, ai ishte një prej pikave kyçe të ekipit të tij, ku zhvilloi gjithsej 31 paraqitje, duke shënuar 5 gola dhe duke dhuruar 4 asistime për bashkëlojtarët.
Drejtuesit e klubit gjilanas i kanë uruar mirëseardhje sulmuesit të ri në familjen e madhe bardhekaltër, duke i dëshiruar shumë suksese dhe trofe me fanellën e re.
Me shpejtësinë dhe eksplozivitetin e tij, Jashari pritet të jetë një armë shtesë për sulmin e Dritës në rrugëtimin drejt objektivave të klubit.

