Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se së bashku me ministrin Dimal Basha kanë nënshkruar memorandumin për realizimin e punimeve në hyrje-daljet e qytetit.
Gjatë kësaj vizite, ata inspektuan edhe disa nga punimet infrastrukturore që po zhvillohen në Gjilan, përfshirë rrugën “Hamdi Kurteshi”, lagjen “Dardania” dhe Lagjen e Tetë, ku po ndërtohet impianti i ujërave atmosferikë.
Sipas Hysenit, ky projekt ka rëndësi të veçantë për qytetin, pasi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë, përmirësimin e qarkullimit dhe zhvillimin urban të Gjilanit.
Ai theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen për realizimin e projekteve të tjera infrastrukturore, duke falënderuar ministrin Basha për mbështetjen dhe gatishmërinë për ta çuar përpara këtë investim të rëndësishëm.
