Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Malishevës, në kuadër të javës së 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja përfundoi me rezultat 3:2 në favor të skuadrës gjilanase.
Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 11-të, kur Limani harkoi bukur në zonë, ndërsa Arjol Bllaca u gjend në vendin e duhur dhe me kokë mposhti portierin mysafir për 1:0.
Malisheva reagoi në fillim të pjesës së dytë. Valmir Nafiu barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 47-të, pas një momenti pasigurie të mbrojtjes së Gjilanit.
Në minutën e 73-të, Malisheva pati mundësi të kalonte në epërsi, por portieri Marjan Çoriç u tregua vendimtar, duke pritur penalltinë e Valmir Nafiut dhe më pas edhe goditjen e tij të dytë.
Pesë minuta më vonë, Gjilani riktheu epërsinë. Yll Ibrahimi depërtoi bukur dhe harkoi në zonë, topi u devijua nga një mbrojtës mysafir, ndërsa Arjol Bllaca me kokë shënoi golin e dytë personal për 2:1.
Në minutën e 86-të, Bleart Tolaj, me një goditje të saktë me të majtën nga brenda zonës, ngriti epërsinë në 3:1.
Malisheva nuk u dorëzua dhe në minutën e dytë të kohës shtesë, Xhemajl Ibishi shënoi nga afërsia për rezultatin përfundimtar 3:2.
Me këtë fitore, Gjilani ngjitet në pozitën e katërt të tabelës, me 22 pikë të grumbulluara.
