Kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka folur para medieve lidhur me përgatitjet dhe pritshmëritë për ndeshjen e nesërme ndaj Feronikelit ’74.
Numri një i shtabit teknik kërkoi përkushtim maksimal nga futbollistët e tij, duke vlerësuar edhe rrezikshmërinë e kundërshtarit.
Nuhiu nënvizoi se skuadra duhet të ruajë mentalitetin fitues dhe të përmirësojë konkretizimin para portës:
”Kërkohet përkushtim maksimal dhe të jemi të fokusuar në maksimum. Duhet të mbetemi te vetja jonë dhe mentalitetin fitues ta shfaqim në fushë. Kundërshtari ka motiv të madh për të dalë nga situata e tij e vështirë, prandaj nuk duhet ta nënvlerësojmë.”
Trajneri u ndal veçanërisht te faza e sulmit dhe punët e bëra gjatë javës pas ndeshjes së kaluar:
”Ne do të përqendrohemi te efikasiteti, pasi ndeshja e fundit nuk ishte efikase. Kemi punuar shumë te finalizimi dhe duhet të luajmë lojën tonë. Skuadra po i dominon ndeshjet dhe madje edhe pas humbjes së topit lojtarët po vrapojnë menjëhatë për ta rimarrë atë. Në qendër na ka munguar përqendrimi në ndeshjen e fundit, por nuk ka vend për shqetësim, kam besim të plotë se nesër skuadra do të gjejë rrugën e golit.”
