Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjilanit, në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, ka realizuar sot shpërndarjen e 150 pakove ushqimore për familjet në nevojë.
Kjo ndihmë humanitare është mundësuar falë bashkëpunimit të drejtorisë me fondacionin Zayed for Good (Sheikha Hind) nga Emiratet e Bashkuara Arabe, me qëllim që të mbështeten familjet që përballen me vështirësi ekonomike.
Përmes këtij donacioni synohet që familjeve përfituese t’u ofrohet ndihmë konkrete për përmbushjen e nevojave bazike, duke lehtësuar sadopak përballimin e sfidave të përditshme.
Nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale bëhet e ditur se institucionet komunale do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara në mbështetjen e kategorive në nevojë, përmes bashkëpunimit me donatorë dhe partnerë të ndryshëm.
Me këtë rast, drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu, ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e sinqertë për donatorët për këtë mbështetje të vlefshme.
Ajo gjithashtu ka shprehur shpresën që edhe në të ardhmen të vazhdojë bashkëpunimi në projekte dhe iniciativa të tjera që ndihmojnë qytetarët dhe familjet në nevojë në Komunën e Gjilanit.
