Gjilani nis fushatën e madhe vetëdijësuese për parandalimin e zjarreve në prag të sezonit veror
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit ka filluar një fushatë të gjerë vetëdijësuese me qëllim parandalimin e zjarreve në qytet, fshatra dhe institucione arsimore.
Kjo nismë po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Stacionin Policor në Gjilan, Njësinë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, si dhe degën lokale të Kryqit të Kuq të Kosovës.
Fushata vjen si një masë parandaluese përpara rritjes së temperaturave gjatë sezonit veror, periudhë kjo kur kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.
Autoritetet komunale tërheqin vëmendjen se zjarret e pakontrolluara në fusha, pyje, kullota apo pranë zonave të banuara paraqesin rrezik direkt për jetën e qytetarëve, shkaktojnë dëme të mëdha materiale dhe dëmtojnë rëndë mjedisin.
Në kuadër të aktiviteteve të para, ekipet e përbashkëta kanë vizituar sot shkollat fillore dhe të mesme të komunës.
Përmes këtyre takimeve, nxënësit u njoftuan nga afër me rreziqet që sjellin zjarret, masat që duhet të ndërmarrin për parandalim, si dhe për mënyrën e duhur të reagimit në raste të emergjencave.
Paralelisht me ligjëratat në shkolla, zyrtarët kanë shpërndarë materiale informuese dhe kanë bashkëbiseduar me qytetarë në lagje të ndryshme dhe nëpër fshatra për të ngritur vigjilencën e përgjithshme shoqërore.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka falënderuar të gjitha institucionet partnere për angazhimin dhe u ka bërë thirrje të hapur të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal: të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe të mos hedhin mbetje që mund të ndezin flakët.
Për çdo rast të dyshuar apo vatër zjarri, qytetarët obligohen të lajmërojnë menjëherë autoritetet në numrat emergjentë: 112 ose 193.
