Në ambientet e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur shfaqja e një dokumentari dhe një debat publik mbi çështjen e personave të zhdukur.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Shpalosja e së Vërtetës: Luftimi i Gazetarisë Monoetnike dhe Avokimi për Personat e Zhdukur në Kosovë”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe realizohet nga BIRN Kosova në bashkëpunim me Qendrën e Avokimit për Kulturë Demokratike (ACDC).
Ky organizim është pjesë e një serie debatesh që synojnë të nxisin një dialog gjithëpërfshirës për këtë temë të ndjeshme, si dhe të forcojnë angazhimin e institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve në adresimin e kësaj plage shoqërore.
Dokumentari i shfaqur solli rrëfime tronditëse dhe dëshmi nga familjarët e personave të zhdukur nga Rajoni i Gjilanit. Familjarët Xhevat Ajeti, Xhemile Morina, Goran Zdravkoviq dhe Remzi Hajrullahu ndanë me të pranishmit përvojat e hidhura dhe sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen tash e sa vite në kërkim të më të dashurve të tyre.
Pas shfaqjes së dokumentarit, u zhvillua debati publik i moderuar nga gazetarja dhe drejtoresha ekzekutive e BIRN Kosovës, Jeta Xharra.
Në panelin e diskutimit ishin të ftuar Ilir Morina nga Prokuroria Speciale, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, si dhe Kreshnik Gashi nga KALLXO.com.
Gjatë diskutimit u trajtuan sfidat e shumta institucionale, nevoja për një bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional, si dhe roli që luajnë familjarët dhe shoqëria civile në procesin e drejtësisë tranzicionale.
Panelistët dhe të pranishmit kujtuan se edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, 1,560 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur në Kosovë, duke e bërë këtë një nga dhimbjet më të mëdha të pasluftës.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, stafi akademik, studentët e UKZ-së dhe qytetarë të shumtë, të cilët në fund kërkuan një angazhim më të madh dhe rritje të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur.
