KRONIKË/Policia e Gjilanit shqipton afër 1700 gjoba brenda një jave

Gjilan, 30 tetor 2026 – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh operative për sigurinë në trafik gjatë periudhës 23.10.2026 deri më 29.10.2026, periudhë gjatë së cilës janë shqiptuar gjithsej njëmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tre (1683) gjoba.

​Në kuadër të këtyre planeve operative, autoritetet policore kanë trajtuar dhe hetuar tetë (8) aksidente trafiku me dëme materiale, si dhe tetë (8) aksidente të tjera trafiku me të lënduar.

Gjatë kësaj jave, fokusi ka qenë edhe tek identifikimi i kundërvajtjeve që rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë në rrugë, ku janë shqiptuar dyzet e nëntë (49) gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes dhe dyzet e dy (42) gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë.

Po ashtu, për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit, masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike i është shqiptuar dyzet e tetë (48) ngasësve.

​Lidhur me këto të dhëna, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka përsëritur apelin e saj drejtuar të gjithë ngasësve që të ulin shpejtësinë, të respektojnë rregullat e trafikut, të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve, duke respektuar njëkohësisht sinjalistikën dhe semaforët.

Policia thekson se siguria në rrugë mbetet përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët