TETORI ROZË/Përmbyllet fushata njëmujore e ndërgjegjësimit dhe apelohet për kujdes e diagnostikim të hershëm

Pas një muaji të mbushur me aktivitete, takime, bashkëbisedime dhe mesazhe ndërgjegjësuese, sot është përmbyllur me sukses fushata “Tetori Rozë”, e cila i ka kushtuar vëmendje të veçantë ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit.

​Gjatë këtij muaji, nismat e ndërmarra kanë mundësuar takime me shumë gra dhe vajza, duke dëgjuar rrëfime të ndryshme, duke ndarë përvoja, emocione dhe mesazhe shprese.

Çdo takim ka shërbyer si një kujtesë se pas çdo kontrolli fshihet një jetë e shpëtuar, se diagnostikimi i hershëm bën dallimin dhe se informimi e mbështetja duhet të jenë të pranishme përgjatë gjithë vitit, e jo vetëm gjatë muajit tetor.

​Në mbyllje të kësaj fushate, është shprehur mirënjohje dhe falënderim i thellë për të gjitha institucionet dhe partnerët që iu bashkuan nismës dhe kontribuuan në realizimin e suksesshëm të aktiviteteve.

​Falënderime të veçanta i janë drejtuar Drejtoritë të Arsimit, e cila hapi dyert e shkollave dhe institucioneve parashkollore; drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve, psikologëve, nxënësve, Policisë së Kosovës, si dhe Kuvendit Komunal e Kryetarit të Komunës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

​Një falënderim i veçantë i takon gjithashtu stafit shëndetësor të QKMF-së në Gjilan,  mjekëve, infermierëve, psikologëve dhe të gjithë profesionistëve shëndetësorë,  të cilët me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi ishin në qendër të kësaj fushate.

Mirënjohje u dedikohet edhe të gjitha institucioneve, organizatave dhe individëve të tjerë kontribues.

​Edhe pse fushata zyrtarisht përmbyllet sot, mesazhi i saj mbetet i hapur për çdo ditë: Kontrollohu për veten, për jetën!

​Apeli përfundimtar nga ky organizim është që kujdesi për shëndetin të mos mbetet vetëm një mesazh i muajit tetor, por kontrolli i rregullt,kujdesi për veten dhe mbështetja ndaj njëra-tjetrës të kthehen në një kulturë të përhershme.

​Sepse ndërgjegjësimi shpëton jetë, solidariteti jep forcë dhe kujdesi duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët.

Bashkë për më shumë ndërgjegjësim, më shumë parandalim dhe më shumë jetë!

Shpërndaj me të tjerët