KRONIKË/ Vendosen kamerat e sigurisë në Cërnicë të Gjilanit

Në fshatin Cërnicë të Gjilanit është realizuar projekti për vendosjen e kamerave të sigurisë, me qëllim të rritjes së sigurisë publike dhe parandalimit të veprave penale.

Projekti është realizuar nga Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP) në Cërnicë, në bashkëpunim me Koordinatorin e Projekteve për Komunitet dhe Parandalim të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, si dhe Njësinë e Policisë në Komunitet të Stacionit Policor në Gjilan.

Financimi i projektit është bërë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ndërsa Komuna e Gjilanit ka mbështetur projektin duke siguruar furnizimin me energji elektrike për funksionimin e sistemit të kamerave.

Sipas njoftimit, qëllimi i projektit është rritja e nivelit të sigurisë publike, parandalimi i veprave penale, mbrojtja e pronës dhe krijimi i një ambienti më të sigurt për banorët.

Vendosja e kamerave është mirëpritur nga komuniteti i Cërnicës, i cili e vlerëson këtë investim si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe mirëqenies së banorëve.

Institucionet e përfshira kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në projekte të tjera që synojnë përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.

Shpërndaj me të tjerët