Përfaqësuesja U16 e Kosovës në basketboll ka vazhduar me paraqitje të shkëlqyera në FIBA U16 EuroBasket 2026, Divizioni C, duke shënuar fitoren e tretë radhazi dhe duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të kampionatit që po zhvillohet në Armeni.
Dardanët e rinj, të udhëhequr nga përzgjedhësi gjilanas Gyltekin Selimi, ndërsa në staf me ndihmës trajnerin Laurant Ibrahimi, triumfuan në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ndaj Shqipërisë me rezultat 90:65.
Kosova dominoi takimin nga fillimi deri në fund, duke zhvilluar lojë të organizuar në sulm dhe mbrojtje.
Epërsia u rrit vazhdimisht gjatë ndeshjes, ndërsa në fund u vulos një fitore bindëse me 25 pikë dallim.
Më efikasit te Kosova ishin Orik Istrefi me 20 pikë, Narti Kasapolli me 15, Almuid Selmani me 14 dhe Almir Dervishi me 13 pikë.
Me tri fitore në po aq ndeshje, Kosova e përfundoi fazën e grupeve në vendin e parë dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinale, ku sonte pritet ta mësojë kundërshtarin e radhës.
Ky sukses është një tjetër dëshmi e punës së mirë të stafit teknik të Kosovës, ku kontribut të rëndësishëm po japin përzgjedhësi Gyltekin Selimi dhe ndihmës trajneri Laurant Ibrahimi, të dy nga Gjilani.
