Reshjet e shiut dhe breshërit, ekipet emergjente angazhohen në terren në Gjilan
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, ka njoftuar se pas reshjeve intensive të shiut dhe breshërit që përfshinë territorin e komunës, ekipet emergjente janë angazhuar në terren për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës për qytetarët.
Në aksion janë përfshirë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendra Operative Emergjente 112 – Gjilan, Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policia e Kosovës, KEDS-i dhe kompania mbështetëse “Asllani Trans”.
Sipas Shabanit, falë bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve të përfshirë, rastet e paraqitura janë menaxhuar me efikasitet, duke minimizuar pasojat e shkaktuara nga moti i ligë.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëtarët e ekipeve që, me profesionalizëm dhe përkushtim, kanë qenë në shërbim të qytetarëve gjatë intervenimeve.
Një falënderim i veçantë u është drejtuar Qendrës Operative 112, Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policisë së Kosovës, KEDS-it dhe kompanisë “Asllani Trans” për kontributin e tyre në tejkalimin e situatës.
Po ashtu, qytetarët janë falënderuar për bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe respektimin e udhëzimeve të institucioneve kompetente.
“Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë kryesor”, thuhet në njoftim.
