HISTORI/ Kush ishin sahatçinjtë e Gjilanit dhe si përcaktohej koha dikur?

Për t’u orientuar në kohë dhe për të përcaktuar orën, qytetarët në të kaluarën shërbeheshin kryesisht me orët publike të vendosura në kullat e sahatit.

Një e tillë ishte edhe Kulla e Sahatit në Gjilan, e vendosur në kambanore, e cila shënonte kohën dhe shërbente për orientimin e banorëve të qytetit, zejtarëve, tregtarëve dhe kalimtarëve.

Kulla e Sahatit ishte një nga simbolet e qytetit të Gjilanit dhe, sipas të dhënave, ishte ndërtuar nga familja Gjinolli. Kambanat e saj ishin të një madhësie të konsiderueshme dhe tingujt e tyre dëgjoheshin edhe në fshatrat përreth.

Bazuar në të dhënat memoriale dhe rrëfimet e njerëzve të kohës, Kulla e Sahatit u rrënua nga pushtetarët e kohës rreth viteve 1922–1923.

Një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së Gjilanit u zhduk, duke e varfëruar qytetin nga vlerat e tij monumentale, kulturore, historike dhe arkitekturore.

Por, përveç orëve publike, në jetën e përditshme një rol të rëndësishëm kishin edhe sahatçinjtë, apo orëndreqësit. Këta ishin mjeshtrit që merreshin me riparimin, mirëmbajtjen dhe shitblerjen e orëve.

Në të kaluarën përdoroheshin orë mekanike të llojeve të ndryshme: orë muri, orë dore, orë xhepi, si dhe orë të mëdha mekanike që vendoseshin në xhami, kulla sahati dhe objekte të tjera publike.

Sipas të dhënave të Esnafit Zejtar në Gjilan, një nga mjeshtrit më të hershëm që ushtronte zanatin e sahatçiut që nga koha osmane ishte Metush (Ahmet) Beg-Gjinolli, nipi i Haxhi Hamdi Beut. Me të, që nga viti 1915, si ndihmës mjeshtër apo kallfë, punonte Feim Ahmeti.

Sipas dokumenteve arkivore, si sahatçinj të vjetër në vitin 1921 përmenden edhe Giga dhe Stevan Janiqijeviq-Niqikushin, si dhe Jovan Vuqkoviq-Arsiq.

Oda Zejtare e Rrethit të Gjilanit, në vitin 1929, shënonte tri dyqane të orëndreqësve. Po aq orëtarë në Gjilan përmenden edhe gjatë periudhës 1945–1963.

Dy prej këtyre dyqaneve ndodheshin në rrugën kryesore të qytetit. Njëri ishte dyqani i Ejup Daut Bajramit, i njohur në popull si Jup Sahatçiu.

Ai ishte një mjeshtër i rrallë dhe shumë i njohur, i cili që nga viti 1924 ushtronte zejën e orëndreqësit.

Këtë zanat më pas ua la trashëgim edhe djemve të tij, edhe pas shpërnguljes së familjes në Turqi.

Një tjetër orëndreqës i njohur në Gjilan ishte Vladimir M. Bozhoviqi, ndërsa dyqani i tretë ndodhej në një rrugë tjetër të qytetit.

Në të punonte Svetozar J. Vuçkoviq-Toza, i cili zanatin e kishte trashëguar nga babai i tij, Jovan V. Arsiqi.

Ndërkaq, studiuesja Drita Statovci, në librin e saj për zejtarinë, shënon se në vitin 1972 në Gjilan kishte katër dyqane të orëtarëve.

Edhe sot në Gjilan veprojnë disa punëtori të orëtarëve, të cilat merren me shitjen e orëve, ndërrimin e pjesëve të dëmtuara dhe riparimin e tyre.

Megjithatë, zanati i sahatçiut, dikur një nga zejet e rëndësishme të qytetit, sot mbetet një nga profesionet tradicionale që ruan gjurmët e historisë dhe të jetës së dikurshme të Gjilanit.

Shënim: Faik Zyazade, nga libri “Zejtaria e Gjilanit”.

Shpërndaj me të tjerët