ARSIM/Pas gjashtë vitesh në arsim, mësimdhënësi nga Gjilani mbyll kapitullin me një letër prekëse

Mësimdhënësi i njohur i Matematikës dhe njëherësh kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, Bregan Isufi, ka njoftuar përmbylljen e angazhimit të tij gjashtëvjeçar në arsimin parauniversitar.

Përmes një letre publike me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Isufi ka bërë një bilanc të rrugëtimit të tij profesional, duke reflektuar mbi arritjet, sfidat dhe nevojën e ngutshme për reformimin e sistemit arsimor.

​Përgjatë gjashtë viteve pune pranë nxënësve, angazhimi i tij ka tejkaluar kuadrin e orës mësimore.

Mes nismave kryesore përmendet pjesëmarrja në projekte inovative si “KIST”, ku me nxënësit e shkollës “Abaz Ajeti” u trajtuan tema me rëndësi shoqërore si dezinformimi, si dhe promovimi i teknologjisë në mësimdhënie.

Një sukses i veçantë ishte edhe realizimi i dokumentarit “A IKËM?” nga Klubi Medial i kësaj shkolle, i cili u shfaq në 34 shkolla të Kosovës për të nxitur diskutimin mbi migrimin.

​Në rrafshin akademik, Isufi lë pas një trashëgimi të rëndësishme si bashkautor i Librave të Mësuesit për Matematikën për klasat VI, VII dhe IX, materiale që vazhdojnë të lehtësojnë punën e mësimdhënësve në mbarë vendin.

Po ashtu, nën drejtimin e tij, Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit u transformua në një platformë të fuqishme për mbështetjen e talenteve të reja, duke shtrirë aktivitetet, garat dhe trajnimet pa pagesë edhe te nxënësit e mësimdhënësit nga Presheva, Bujanoci, Kumanova e Shkupi.

​Pavarësisht arritjeve, në letrën e tij të lamtumirës, Isufi ngriti shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të sistemit arsimor karshi zhvillimeve globale.

Ai nëvizoi se ruajtja e metodave tradicionale nuk përbën më një zgjidhje afatgjatë dhe se inteligjenca artificiale e teknologjia duhet të integrohen me përgjegjësi për të fuqizuar rolin e arsimtarit dhe nxënësit.

​Në mbyllje të mesazhit të tij, ai shprehu mirënjohje të thellë për drejtuesit e shkollave, kolektivet arsimore, me theks të veçantë për ShFMU “Abaz Ajeti” dhe Medresenë “Alauddin”, si dhe për të gjithë nxënësit që i dhanë kuptim këtij kapitulli jetësor, duke konfirmuar se largohet me respektin më të lartë për profesionin e fisnik të mësimdhënësit.

Shpërndaj me të tjerët