POLITIKË/Thyen heshtjen Faton Bislimi: Ja e vërteta pas propozimit për President!

Veprimtari dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, ka thyer heshtjen lidhur me iniciativën e fundit për konsiderimin e emrit të tij për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës.

​Përmes një komunikate për mediat, Bislimi shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e marrë nga personalitete të shquara ndërkombëtare dhe kombëtare.

Ndër figurat kryesore që kanë mbështetur këtë ide përmenden diplomati amerikan, Ambasadori William Walker, ish-kongresmeni Joe DioGuardi, familjet e Heronjve të Kombit Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, si dhe përfaqësues nga diaspora, Lugina  e Preshevës dhe qarqe akademike nga Universiteti i Harvardit.

​Në deklaratën e tij, Bislimi nënliron se këtë propozim nuk e sheh si një interes personal apo si një kandidaturë partiake, por si një detyrë dhe mision në shërbim të shtetit.

Kandidatura ime nuk është kërkesë drejtuar një partie dhe nuk është ndërtuar kundër asnjë partie apo individi. Ajo ka qenë një ofertë për t’i shërbyer Republikës së Kosovës në një moment kur vendit i duhet unitet, seriozitet institucional dhe besim në të ardhmen,” deklaroi Bislimi.

Më tej, ai konfirmoi gatishmërinë e tij për të marrë përgjegjësi publike, duke shtuar se nëse klasa politike nuk gjen dakordësi, ai do të jetë i gatshëm t’i drejtohet proceseve demokratike në të ardhmen.

​ Bislimi, i cili ka një karrierë më shumë se njëçerekshekullore në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, me arsimim të kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfundoi mesazhin e tij duke rikonfirmuar se parimi i tij udhëheqës mbetet sovraniteti dhe zhvillimi i vendit nën moton “Kosova e Para”.

Shpërndaj me të tjerët