Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është hapur zyrtarisht Njësia e Përbashkët e Kontrollit (Airport Control Unit – ACU), një strukturë e re e krijuar ndërmjet Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Kjo njësi ka për qëllim forcimin e kontrollit të udhëtarëve dhe ngarkesave, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të paligjshëm.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, si dhe kreu i Bashkëpunimit i Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, bashkë me përfaqësues të UNODC-së, të cilët bënë edhe përurimin e hapësirave të reja të punës.
Hapja e kësaj njësie shënon një hap të rëndësishëm drejt një koordinimi më të drejtpërdrejtë dhe shkëmbimit efikas të informacionit ndërmjet dy institucioneve të zbatimit të ligjit.
Projektimi dhe funksionalizimi i saj është realizuar në kuadër të Veprimit të Përbashkët BE–UNODC për promovimin e sundimit të ligjit në portet dhe aeroportet e Evropës Juglindore (Faza II).
Përmes kësaj zyre, Aeroporti i Prishtinës integrohet në rrjetin rajonal të njësive ndërinstitucionale, duke mundësuar operacione të përbashkëta dhe shkëmbim të inteligjencës me partnerët ndërkombëtarë.
Përfaqësuesit e Doganës dhe Policisë së Kosovës rikonfirmuan përkushtimin e tyre për rritjen e kapaciteteve të kontrollit kufitar dhe garantimin e sigurisë kombëtare në Republikën e Kosovës.
