ARSIM/HUMANIZËM/Dhurohen 5 klima për shkollën e fshatit Llovcë të Gjilanit

Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Fadil Ademi, ka njoftuar për përmbylljen e javës me një aktivitet të rëndësishëm bamirësie në fshatin Llovcë, prej nga është edhe me prejardhje.

​Në kuadër të kësaj nisme, për shkollën e fshatit Llovcë janë dhuruar 5 pajisje me ajër të kondicionuar (klima), me qëllim krijimin e kushteve më të mira për nxënësit si gjatë stinës së verës, ashtu edhe gjatë dimrit.

​Sipas Ademit, ky aktivitet ishte një iniciativë vullnetare e realizuar në bashkëpunim me familjarë e kushërinj, si nga vendi ashtu edhe nga diaspora.

Kjo ishte një nismë e përbashkët që e realizuam me ndihmën e disa kushërinjve dhe familjarëve tanë këtu dhe në diasporë. U jam shumë mirënjohës për besimin dhe gatishmërinë e tyre për të bërë diçka të mirë për fëmijët e Llovcës. Edhe pse jemi larg, mendjen e zemrën e kemi gjithmonë në fshatin tonë,” është shprehur Ademi.

​Ai rikujtoi se gjatë vitit të kaluar Komuna e Gjilanit ka investuar në rregullimin e ambienteve të brendshme të kësaj shkolle, ndërsa kjo nismë vullnetare vjen si plotësim për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve mësimore.

​Në përmbyllje, asamblisti Ademi falënderoi të gjithë kontribuuesit dhe paralajmëroi aktivitete të tjera në të ardhmen në shërbim të komunitetit.

Shpërndaj me të tjerët