​SPORT/Gjilani udhëton drejt Malishevës për pikët e plota

​SC Gjilani do të luajë në udhëtim kundër Malishevës në kuadër të javës së 4-t në Superligën e Kosovës në futboll, në një takim që pritet të sjellë rivalitet të lartë dhe cilësi në fushë.

​Kryeinspektori i shtabit teknik të Gjilanit, Debatik Curri, në deklaratën e tij para kësaj sfide, ka bërë të ditur se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht gjatë gjithë javës.

​”Gjatë gjithë javës kemi pasur kohë ta analizojmë kundërshtarin dhe kemi identifikuar anët e tij të forta dhe të dobshta. Besoj në punën dhe në grupin tonë, ndaj udhëtojmë drejt Malishevës me synimin e qartë për të marrë pikët e plota,” është shprehur Curri.

​Tekniku i kuqebardhëve e vlerësoi lart kundërshtarin, me të cilin ndajnë edhe kuotë të barabartë pikësh në tabelë.

​”E kemi një kundërshtar të fortë dhe jemi me pikë të barabarta. Do të jetë një përballje mjaft e fortë, por shpresojmë dhe besojmë se do të dalim fitimtarë,” përfundoi ai.

Vlen të theksohet se skuadra e Gjilanit ka treguar një formë mjaft të mirë si mysafir këtë sezon, duke arritur të fitojë në dy ndeshjet e para të zhvilluara në transfertë, ecuri kjo që kërkojnë ta vazhdojnë edhe në Malishevë.

Shpërndaj me të tjerët