Në vitin 1995, në një periudhë të vështirë për sportin kosovar kur futbolli zhvillohej në fusha të improvizuara për shkak të dëbimit të skuadrave shqiptare nga stadiumet e tyre nga pushteti i atëhershëm serb, një ngjarje e veçantë do të mbetej në memorien e futbollit gjilanas.
Pronari i agjencisë turistike “Fati”, Shengyll Imami, një nga kontribuesit e mëdhenj të sportit, sapo kishte blerë një autobus të ri.
Në atë kohë po zhvillohej kampionati i edicionit 1995/96 dhe Drita përgatitej të luante si vendase kundër Lirisë së Prizrenit në fushën e fshatit Malishevë të Gjilanit.
Një ide e dashamirit të sportit, Agron Emini – “Pinki”, do të ndryshonte mënyrën se si skuadra udhëtonte drejt kësaj ndeshje.
Pinki i propozoi pronarit të autobusit, Shengyllit, që lojtarët dhe shtabi teknik i Dritës të udhëtonin direkt me autobusin e ri për në Malishevë.
Shengyli e aprovoi menjëherë këtë ide, duke i thënë Pinkit të merrej vesh me drejtuesit e klubit për detajet organizative.
Pasi morën dritën jeshile, u vendos që autobusi bashkë me shoferin t’i viheshin në dispozicion skuadrës.
Ekipi u mblodh te stadiumi i qytetit, hipi në autobus dhe u nis drejt e në fushën e futbollit në Malishevë.
Atë ditë të diel, zbritja e lojtarëve të Dritës nga autobusi direkt në fushë shkaktoi habi dhe emocion jo vetëm te skuadra mysafire nga Prizreni, por edhe te numri i madh i shikuesve të pranishëm.
Kjo pasi në atë periudhë udhëtimet bëheshin pothuajse gjithmonë me vetura private të siguruara nga vullnetarët dhe dashamirët e klubit.
Ajo ditë u përmbyll në mënyrën më të mirë edhe në fushë, Drita shënoi fitore minimale ndaj Lirisë me rezultat 1:0, duke e bërë këtë ngjarje një histori të veçantë solidariteti dhe dashurie për sportin në ditët më të vështira.
