SC Gjilani do të luajë në udhëtim kundër Malishevës në kuadër të javës së 4-t në Superligën e Kosovës në futboll, në një takim që pritet të sjellë rivalitet të lartë dhe cilësi në fushë.
Kryeinspektori i shtabit teknik të Gjilanit, Debatik Curri, në deklaratën e tij para kësaj sfide, ka bërë të ditur se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht gjatë gjithë javës.
”Gjatë gjithë javës kemi pasur kohë ta analizojmë kundërshtarin dhe kemi identifikuar anët e tij të forta dhe të dobshta. Besoj në punën dhe në grupin tonë, ndaj udhëtojmë drejt Malishevës me synimin e qartë për të marrë pikët e plota,” është shprehur Curri.
Tekniku i kuqebardhëve e vlerësoi lart kundërshtarin, me të cilin ndajnë edhe kuotë të barabartë pikësh në tabelë.
”E kemi një kundërshtar të fortë dhe jemi me pikë të barabarta. Do të jetë një përballje mjaft e fortë, por shpresojmë dhe besojmë se do të dalim fitimtarë,” përfundoi ai.
Vlen të theksohet se skuadra e Gjilanit ka treguar një formë mjaft të mirë si mysafir këtë sezon, duke arritur të fitojë në dy ndeshjet e para të zhvilluara në transfertë, ecuri kjo që kërkojnë ta vazhdojnë edhe në Malishevë.
