Mjeku i njohur nga Gjilani, Dr. Sejdulla Mahmuti, sot ka përmbyllur zyrtarisht karrierën e tij profesionale në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, duke kaluar në pension pas dekadash shërbimi në fushën e mjekësisë.
Me këtë rast, menaxhmenti i Spitalit të Gjilanit ka organizuar një ngjarje festive ku drejtori i këtij institucioni, Dr. Afrim Cana, i ka ndarë mirënjohje Dr. Mahmutit për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar ndaj pacientëve dhe kolektivit përgjatë viteve të punës.
Gjatë fjalës së tij, drejtori Cana vlerësoi lart figurën e mjekut, duke theksuar dimensionin e tij human dhe përvojën e ndarë ndër vite me brezat e rinj të mjekëve.
Nga ana tjetër, Dr. Sejdulla Mahmuti u shpreh i lumtur për rrugëtimin e tij profesional në Spitalin Regjional të Gjilanit.
Ai veçoi punën e bërë në kryerjen e ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale dhe angazhimin për zhvillimin e mëtejmë të shërbimit të kirurgjisë në rajonin e Anamoravës.
Në fund të takimit, përfaqësuesit e spitalit i uruan Dr. Mahmutit shëndet dhe mbarësi në kapitullin e ri të jetës pas pensionimit.
