LOKALE/Bllokohet nesër segmenti i rrugës “Nënë Tereza” në Gjilan, Kryetari njofton rrugët alternative

 Punimet në ndërtimin e Bulevardit të Qytetit në Gjilan po vijojnë me dinamikë të lartë intensive.

Në kuadër të realizimit të këtij projekti, Komuna e Gjilanit njofton qytetarët se ditën e shtunë, më 12 shtator, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në një nga segmentet kryesore të qytetit.

​Sipas njoftimit zyrtar të bërë nga kryetari i Komunës së Gjilanit, segmenti i rrugës “Nënë Tereza” do të jetë i bllokuar nga ora 08:00 deri në orën 20:00, me qëllim të mundësimit të zhvillimit të punimeve pa pengesa teknike.

​Për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe për të shmangur ngarkesën në trafik, organet komunale kanë përcaktuar rrugët alternative ku do të orientohet qarkullimi.

Për mjetet e lehta (automjetet deri në 3.5 ton), lëvizja do të bëhet përmes rrugëve “Shaban dhe Sami Ukshini” si dhe “Afrim Gagica”. Ndërkaq, mjetet e rënda (automjetet e rënda dhe autobusët) do të shfrytëzojnë unazën qarkore të qytetit, përkatësisht rrugët “28 Nëntori”, “Ramiz Cernica”, “Arben Isufi” dhe “Idriz Seferi”.

​Kryetari i komunës u ka kërkuar qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve mirëkuptim për kohëzgjatjen e punimeve, si dhe ka bërë thirrje për respektim të rreptë të sinjalizimit të vendosur rrugor, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së komunikacionit gjatë kësaj periudhe.

Shpërndaj me të tjerët