SPORT/Rekordmani botëror Agim Agushi shënon edhe dy Rekorde Guinness në Burj Khalifa të Dubait

Rekordmani i njohur botëror dhe profesori i matematikës nga Vitia, Agim Agushi, ka arritur sot të shënojë edhe dy rekorde të reja në librin e rekordeve Guinness, gjatë një sfide spektakolare të zhvilluar në ndërtesën më të lartë në botë, Burj Khalifa në Dubai.

​Agushi ka demonstruar një përqendrim dhe zotësi të jashtëzakonshme duke zhongluar me top në kokë gjatë ngjitjes dhe zbritjes së shkallëve të rrokaqiejve të famshëm.

Në pjesën e parë të sfidës, ai realizoi ecjen lart shkallëve duke përshkuar 2,160 shkallë me top në kokë, ndërsa po aq shkallë i përshkoi edhe gjatë zbritjes poshtë.

Në total, ai kaloi 4,320 shkallë brenda një kohe rekorde prej 1 ore e 12 minutash.

​Pas përfundimit me sukses të kësaj arritjeje të madhe, Agushi shprehu falënderimet e tija të përzemërta për stafin e Burj Khalifa-s për mbështetjen logjistike, sponsorët që mundësuan realizimin e këtij projekti, si dhe ekipin e tij mbështetës, Dan Qarkaj, Milot Haziri dhe Leutrim Agushi, të cilët dhanë një kontribut të çmuar në realizimin e këtij suksesi historik./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët