LOKALE/Rifillojnë punimet në hyrje-daljen e Gjilanit drejt Prishtinës, nënshkruhet kontrata e re

Ka marrë fund pritja shumëvjeçare për banorët e Gjilanit lidhur me një nga projektet më problematike të infrastrukturës rrugore në këtë komunë. Sot është nënshkruar zyrtarisht kontrata e re që i hap rrugë rifillimit të punimeve në projektin e hyrje-daljes së Gjilanit në drejtim të Prishtinës.

​Ky segment rrugor kishte mbetur i papërfunduar për një kohë të gjatë, duke u kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për qytetarët, banorët e zonës dhe për qarkullimin e ngarkuar të automjeteve.

​Sipas njoftimit zyrtar nga nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku, vendimi për nënshkrimin e kontratës së re erdhi pas një procesi të gjatë të shkëputjes së kontratës me operatorin e mëparshëm, ndërprerjes së punimeve dhe evidentimit të defekteve teknike që përmbante projekti fillestar.

​Për të mënjanuar problemet e së kaluarës, projekti i është nënshtruar një rishikimi dhe riprojektimi të detajuar teknik, me qëllim që të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme për vazhdimin dhe përfundimin me standarde të këtij aksit të rëndësishëm rrugor.

​Sadiku ka theksuar se angazhimi i pushtetit lokal mbetet i përqendruar në realizimin e premtimeve dhe përfundimin e projekteve të lëna përgjysmë, duke siguruar se investimet infrastrukturore nuk do të mbeten vetëm në letër, por do të realizohen konkretisht në shërbim të qytetarëve.

Shpërndaj me të tjerët