ARSIM/Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini” pajiset me 10 klima të reja

Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini” në Gjilan ka pranuar sot një donacion prej 10 klimash të reja nga kompania GNTC GROUP – Gorenje, duke shënuar një hap tjetër të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës shkollore.

​Njoftimi është bërë i ditur nga drejtori i shkollës, Ilir Vokshi, i cili e vlerësoi këtë ndihmë si një mbështetje kyçe për përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Sipas tij, ky investim do të krijojë një ambient shumë më të përshtatshëm e komod për nxënësit dhe stafin arsimor gjatë procesit mësimor.

​Drejtori Vokshi theksoi se stafi drejtues mbetet i përkushtuar për të siguruar kushte optimale në çdo klasë e kabinet, ndërsa shfrytëzoi rastin t’u bëjë thirrje edhe donatorëve të tjerë që të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së ambienteve shkollore.

​”Qëllimi ynë është i qartë: të krijojmë kushtet sa më të mira të mundshme për nxënësit dhe të mundësojmë që secili prej tyre të zhvillojë e të shfrytëzojë sa më mirë potencialin e tij,” është shprehur ai.

​Në përmbyllje të njoftimit, drejtuesit e shkollës shprehën falënderime të veçanta për GNTC GROUP – Gorenje për solidaritetin e treguar, si dhe për Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Shpërndaj me të tjerët