Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Rexhep Elmazi” në Gjilan ka pranuar një donacion nga biznesi lokal “Hector Kuzhina” dhe pronari i tij, Ilir Korça, i cili i ka dhuruar shkollës një raft të ri librash.
Ky donacion do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të rregulluar, funksional dhe më të përshtatshëm për nxënësit e kësaj shkolle.
Nga drejtoria e shkollës kanë shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për këtë gjest, duke theksuar se mbështetja e tillë tregon përkushtimin e biznesit ndaj arsimit dhe komunitetit.
”Kontribute të tilla dëshmojnë se bashkëpunimi ndërmjet shkollës dhe bizneseve lokale mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në të mirë të fëmijëve.Ky donacion nuk përfaqëson vetëm një ndihmë materiale, por edhe një shenjë të çmuar mbështetjeje për shkollën dhe punën që zhvillohet çdo ditë në të,” kanë deklaruar nga SHFMU “Rexhep Elmazi”.
Në emër të nxënësve dhe stafit arsimor, shkolla ka falënderuar Ilir Korça për bujarinë dhe gatishmërinë e tij për të kontribuar në përmirësimin e mjedisit shkollor.
