Gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan ka pritur sot një vizitë të veçantë nga një delegacion shqiptarësh me banim në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pjesë e këtij delegacioni ishin shqiptarë të lindur e të rritur në Amerikë, përfshirë edhe përfaqësues të gjeneratës së tretë, me prejardhje nga viset e ndryshme shqiptare.
Delegacioni u prit ngrohtësisht nga drejtori i shkollës, Ilir Vokshi, së bashku me stafin mësimor dhe nxënësit e gjimnazit.
Gjatë kësaj vizite, mysafirët nga SHBA-ja zhvilluan një bashkëbisedim të ngrohtë me nxënësit, ku ndanë përvojat e tyre mbi jetën në mërgim, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe rëndësinë e kultivimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër breza.
Nxënësit patën mundësinë të dëgjojnë nga afër mbi sfidat dhe përkushtimin për ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen, si dhe për rëndësinë që ka njohja e historisë dhe traditës shqiptare për të rinjtë që jetojnë jashtë trojeve amtare.
Kjo vizitë u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për shkëmbim përvojash, frymëzim reciprok dhe forcim të urave të bashkëpunimit mes shqiptarëve, pavarësisht distancës gjeografike.
Drejtoria dhe stafi i Gjimnazit “Zenel Hajdini” shprehën falënderimet më të përzemërta për mysafirët nga Detroiti për kohën, vizitën dhe mesazhet e ngrohta që përcollën te nxënësit, duke e cilësuar praninë e tyre si një nder dhe kënaqësi të veçantë.
